Një nga figurat më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar, Zhani Ziçishti, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e aktorit të mirënjohur korçar, është bërë publik nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë, teksa artisti i dha teatrit dhe filmit shqiptar vite të tëra përkushtimi, pasioni dhe profesionalizmi.
Ziçishti do të mbetet në kujtesën e artdashësve për kontributin e tij të çmuar dhe për rolet që shënuan një epokë të teatrit e kinemasë shqiptare.
Ai ka luajtur role në filmat “Mesi i errësirës”, “Përballimi”, “Asgjë nuk harrohet”, etj. Roli i parë i aktorit në kinematografi ishte ai i mësues Agronit në filmin “Lumë drite” në vitin 1970.
Zhani Ziçishti do të mbetet në kujtesën e artdashësve për kontributin e tij të çmuar në film, teatër dhe kulturën shqiptare, e veçanërisht për publikun e Korçës, për të cilët u ngjit me mijëra herë në skenë në Teatrin “Andon Zako Çajupi”.
Homazhet në nder të tij do të zhvillohen më 26 shkurt, nga ora 09:30 deri në 10:30, në hollin e teatrit në Korçë.