Health & Beauty

Ndjesia që nuk është sëmundje, por kërkon kujdes mjekësor…/Çfarë duhet të dini!

Klizmat jo-mjekësore mund të prishin mikroflorën e zorrëve dhe potencialisht të shkaktojnë çekuilibër elektrolitesh. Ndjesia e pakëndshme e zbrazjes së paplotë të zorrëve, e shoqëruar me nxitje të vazhdueshme për jashtëqitje, është gjendje që quhet tenezëm rektal. Mjekët theksojnë se nuk është sëmundje, por ndjesi subjektive, shpesh e shoqëruar me ndjenjë presioni, ndonjëherë edhe dhimbjeje, që na shtyn të shkojmë në tualet pa rezultat.

Sipas ekspertëve të Mayo Clinic dhe Cleveland Clinic, tenezmi rektal ndodh kur muskujt e zorrës së trashë ose të rektumit mbeten të irrituar apo të tensionuar, duke dërguar sinjale të rreme në tru se ka ende nevojë për zbrazje. Ky refleks është i zakonshëm gjatë inflamacionit, irritimit të mukozës ose pas një infeksioni të traktit tretës. Mjekët theksojnë se kjo gjendje nuk duhet të kontrollohet me klizma jo-mjekësore, sepse ato mund të dëmtojnë mikroflorën e zorrëve dhe të shkaktojnë çekuilibër elektrolitesh. Ata shtojnë se është ide e gabuar të besohet se sistemi tretës “pastrohet” plotësisht pas zbrazjes së zorrëve.

Meqë jashtëqitja përbëhet kryesisht nga baktere, masa fekale krijohet vazhdimisht. Megjithatë, pas zbrazjes duhet të zhduket ndjenja e presionit dhe të kemi përshtypjen se zorra është “bosh”. Nëse ende kemi nxitje dhe shkojmë në tualet çdo gjysmë ore, mund të bëhet fjalë për tenezëm rektal (rectal tenesmus). Kjo ndjesi e zbrazjes së paplotë dhe nxitja e vazhdueshme për jashtëqitje zakonisht janë pasojë e sindromës së zorrës së irrituar (IBS), që shfaqet tek personat nën stres të madh, ankth ose presion emocional.

Tenezmi përshkruhet si ndjenja e vazhdueshme për të shkuar në tualet, edhe menjëherë pasi kemi kryer jashtëqitjen, sikur “nuk ka dalë gjithçka”. Gjendja mund të shoqërohet me dhimbje në regjionin rektal, në bark, me gazra apo ngërçe, si dhe me tendosje të pavullnetshme edhe pas zbrazjes së zorrëve. Shkaqet më të zakonshme përfshijnë infeksionet gastrointestinale, hemorroidet e brendshme, divertikulitin ose proktitin (inflamacionin e rektumit). Tek personat që vuajnë nga ankthi apo stresi kronik, sistemi nervor që kontrollon lëvizjet e zorrëve bëhet më i ndjeshëm, duke krijuar ndjesinë e vazhdueshme të zbrazjes së paplotë.

Mjekët sqarojnë se tenezmi rektal nuk është sëmundje më vete, por simptomë e një gjendjeje tjetër. Përveç sindromës së zorrëve nervoze, kjo ndjesi shpesh lidhet me divertikulitin, hemorroidet e dala jashtë, kapsllëk ose diarre, infeksione bakteriale apo virale të zorrës së trashë dhe sëmundje inflamatore të zorrëve si koliti ulceroz ose sëmundja e Kronit. Në raste më të rralla, shkaku mund të jetë edhe kanceri i zorrës së trashë.

Këshillohet që të konsultohemi me mjekun nëse kjo shqetësim përsëritet shpesh ose nuk largohet pas disa ditësh. Duhet të drejtohemi te mjeku i përgjithshëm nëse tenezmi rektal shoqërohet me dhimbje, temperaturë, të vjella, nauze, ndjenjë të ftohti dhe patjetër, nëse vërejmë gjak në jashtëqitje. Gjendja kërkon kontroll mjekësor edhe kur ndryshimet në zakonet e jashtëqitjes zgjasin më shumë se dy javë, ose nëse në familjen e afërt ka raste të sëmundjeve të zorrëve apo tumoreve.