Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk u paraqit sot në Prokurorinë Speciale, ku ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit, në orën 09:30. Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, iu tha mediave se janë informuar nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti që ai nuk mund të paraqitet në prokurori pasi gjendet në një udhëtim jashtë vendit.
Siç jeni në dijeni Prokuroria Speciale e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim për një rast penal. Sot nga kabineti i kryeministrit prokuroria është informuar se kryeministri Kurti, gjendet në një udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër.
Por Prokuroria Speciale nuk ka treguar se për çfarë rasti është ftuar të dëshmojë kryeministri dhe as Kurti nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet ftesës. Ndonëse vetë kryeministri nuk e ka komentuar këtë thirrje, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, reagoi duke shkruar në Facebook se po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tashti përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor.
Katër ditë më parë, burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale konfirmuan se Kurti është ftuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.
Në gusht të vitit të kaluar, disa persona u arrestuan nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të MINT-it.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-regjistrimeve nga portali Nacionale në Kosovë, ku pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.