Bota

Ndryshe nga Pentagoni, Trump: Amerika do të dërgojë armë në Ukrainë!

Ndryshe nga Pentagoni, presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë, për ta ndihmuar këtë vend në mbrojtjen kundër sulmeve ruse.

Do të dërgojmë më shumë armë. Na duhet, iu tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrohen. Tani po goditen shumë rëndë. Kryesisht, SHBA-të do të dërgojnë armë mbrojtëse.

Komentet duket se përmbysin njoftimin e Pentagonit të javës së kaluar, kur u tha se “Amerika do të ndalojë përkohësisht dërgimin e disa raketave për mbrojtje ajrore dhe armëve të tjera në Ukrainë, për shkak të shqetësimeve se rezervat amerikane janë pakësuar”.

Vazhdimisht, Ukraina i ka kërkuar SHBA-ve që t’i dërgojnë më shumë raketa e sisteme Patriot, të cilat i konsideron thelbësore për mbrojtjen e qyteteve të saj nga sulmet ruse, pothuajse çdo natë. Presidenti Volodymyr Zelensky, iu referua sërish nevojës për më shumë armatim, gjatë një fjalimi të mbajtur më 7 korrik.

Ne po punojmë sidomos me palën amerikane për vendimet përkatëse, në lidhje me sistemet Patriot dhe raketat për to.

Pas një bisede telefonike me Trump-in më 4 korrik, Zelensky tha se ra dakord të punojë për forcimin e aftësisë së Kievit “për të mbrojtur qiellin”, teksa sulmet ruse janë intensifikuar. Ai bëri të ditur se diskutoi me Trump-in për prodhim të përbashkët të mbrojtjes, blerje e investime.

Pas telefonatës, Trump u shpreh se Ukraina do të kishte nevojë për raketa Patriot, por gjatë adresimit më 7 korrik nuk i përmendi. Ukraina është duke u mbrojtur kundër pushtimit të plotë rus, që nisi në shkurt të vitit 2022. Sulmet e natës së kaluar të forcave ruse vranë të paktën 11 civilë dhe plagosën më shumë se 80 të tjerë, përfshirë shtatë fëmijë, njoftuan zyrtarët.

Trump mbetet i vendosur për t’i dhënë fund konfliktit dhe sërish nuk e fshehu zhgënjimin në rritje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Nuk jam aspak i kënaqur me presidentin Putin.

Më herët, ai ka kërcënuar se do të vendosë sanksione të reja kundër industrisë ruse të naftës, në përpjekje për ta nxitur Putinin që të hyjë në bisedime për paqe me Kievin zyrtar.