Çmimet e benzinës dhe naftës janë në nivelet më të larta ne Greqi me shifra deri në 2.4–3 Euro për litër.
Rritje të çmimeve për konsumatorët greke pritet edhe tek produktet e higjienës personale dhe pastrimit. Vlen të theksohet se për disa kompani kjo është hera e tretë që procedojnë me rivlerësim të çmimeve që nga fillimi i vitit.
Nga ana e tyre, supermarketet, duke marrë produktet me çmime të rritura, formojnë ato përfundimtare në raft, ku blejnë konsumatorët. Marzhet e fitimit te kompanive në tregun e shitjes me pakicë për të absorbuar rritjet konstante të çmimeve janë ngushtuar, siç theksojnë drejtues të industrisë, me rezultat që një pjesë e këtyre efekteve të rritjes së çmimeve t’u kalohet klientëve të tyre.
Kështu çmimet e reja do të vendosen në varësi të stoqeve të produkteve që janë në magazina dhe janë blerë me çmime më të ulëta.
Rritja e çmimeve nga muaji në muaj është diçka që po ndodh shumë shpesh kohët e fundit në Greqi pasi nga muaji në muaj konsumatorët shohin rritje në supermarkete dhe produkte të tjera.
Kujtojmë se sipas të dhënave zyrtare të qeverise greke nga Prilli deri në Maj çmimet janë rritur në një sërë kategorish ushqimore.
Konkretisht, për akulloret çmimet u rritën me 6.2%, në kategorinë e salcave-erëzave çmimet u rriten me 5.6%, tek verërat konsumatorët paguajnë 5.2% më shumë, qumështi i papërpunuar me yndyrë të reduktuar shitet 4.9% më shtrenjtë, frutat e freskëta me 4.7% më shumë dhe vezët me një rritje çmimi me 4%.
Për vajrat dhe yndyrnat çmimi u rrit me 3.6% ndërsa kategoria “bukë dhe drithëra” shënoi një rritje prej 3,4%. Çmimi i shpendëve në treg është rritur me 2.4%, mishi i derrit me 2.8% më shtrenjtë dhe djathi me 2.4% më shtrenjtë krahasuar me muajin Prill.
Sipas parashikimeve të tregut, rritja e çmimeve do të vijojë gjatë gjithë muajve të verës, ndërsa sipas “skenarit optimist”, nëse nuk ka emergjencë të re, një rënie modeste e çmimeve në Greqi pritet në vjeshtë.