Aktualitet

Në kërkim nga SPAK-u për drogë, pastrim parash e krime kompjuterike, 6 të ekstraduar nga Dubai!

Gjashtë  të shpallur në kërkim ndërkombëtar për aktivitete kriminale në fushat e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe pastrimit të parave, sot ekstradohen nga Dubai drejt vendit tonë. Ekstradimi i tyre pritet të përfundojë gjatë ditës dhe personat do të paraqiten para autoriteteve ligjzbatuese shqiptare për vijimin e procedurave ligjore.

Sipas Policisë së Shtetit pritet të ekstradohen: Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha alias Jetmir Qirici, 44 vjeç, Shkelzen Kraja, 44 vjeç, Aleks Pepaj alias Shkelqim Pepaj, 38 vjeç, Devit Patrut alias Elidon Skendaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj, 39 vjeç, të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu do të ekstradohet Ilir Lazri alias Ilir Sula, 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal si dhe Merxhan Celiku, 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer gjithashtu në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ekstradimi vjen si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar mes Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe homologëve të tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe.