Fezz ishte e ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Mici dhe David Prifti, ku ndau më shumë rreth rrugëtimit të saj artistik dhe projekteve më të fundit. Artistja, e lindur dhe rritur në Verona, ka nisur lidhjen me muzikën që në moshën 6-vjeçare, duke u bërë pjesë e korit të zërave të bardhë dhe më pas duke performuar në sesione lirike në Arena e Veronës.
Në moshën 11-vjeçare ajo nisi studimet në këndimin solistik, duke eksploruar një gamë të gjerë zhanresh si pop, blues, soul, rock dhe jazz, ndërsa soul dhe blues mbeten më të preferuarat e saj. Formimi i saj artistik është ndërtuar ndër vite në Akademinë Lirike të Veronës, ku përveç muzikës ka studiuar edhe aktrim dhe ka performuar në skena të ndryshme brenda dhe jashtë Italisë.
Fezz foli gjithashtu për projektet e saj më të fundit, përfshirë singëllin “Shine Star”, i publikuar në fund të vitit 2025, një bashkëpunim me kompozitorin e njohur Fio Zanotti. Kënga është shoqëruar me një videoklip të realizuar nga “Rude Creative”, me regji të Romina Ruda, i frymëzuar nga atmosfera e filmave musical si “Burlesque” dhe “La La Land”.
Aktualisht, ajo është pjesë e “The Top List” me “Shine Star”, duke fituar gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën muzikore. Me një stil të rafinuar dhe ndikime ndërkombëtare, Fezz po ndërton një identitet të fortë artistik dhe premton shumë për të ardhmen. Pikërisht ky projekt, ka një llloj zhanri që në Shqipëri nuk është shumë i prekshëm, por do të tentonte ajo që një gjë të ngjashme ta përshtaste me tregun shqiptar, apo të këndonte në shqip?
“Shine Star” është bërë më shumë edhe për të synuar më shumë tregje në të njëjtin moment, por e kemi menduar të bëjmë diçka në këtë lloj zhanri me tekstin në shqip. Unë jam rritur me dy tradita të ndryshme, gjuhë, dhe e ndjej shumë këtë dualizmin brenda meje. Do më pëlqente shumë ta vendosja edhe tek këngët e mia. Jo tek të gjitha, pasi unë ndihem shumë rehat edhe në anglisht, duke kënduar, por do më pëlqente edhe në italisht, edhe në shqip të bëja diçka në këtë lloj stili që kohët e fundit ka humbur pak edhe në tregun shqiptar, edhe në atë italian.