I ftuar në “Lancio” ishte edhe Besnik Qaka, një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare dhe frontmeni i NRG Band. I themeluar në vitin 2000 nga vëllezërit Qaka, grupi është kthyer ndër vite në një prej bandave më të dashura për publikun shqiptar, me një stil që ndërthur pop-in modern me performancat live plot energji.
Aktualisht, NRG Band po korr sukses edhe me projektin e tyre më të ri të titulluar “Butterfly”, i cili është bërë pjesë e klasifikimeve muzikore dhe po renditet në “The Top List”, duke marrë vëmendje të madhe nga publiku. Si ka qenë procesi krijues, si erdhi ky realizim?
“Butterfly”, vetë demoja e këngës ka nisur me këtë fjalë. Më pas, kështu e kanë dëgjuar shumë bashkëpunëtorë që kemi në studio, i ka pëlqyer shumë. Tingulli është interesant. Edhe ne si grup njihemi pak për eksperimente. Ndër vite, kemi eksperimente që kemi bërë me muzikën, por ka edhe këngë që kanë dalë gropë. Thjesht ka ndonjë arsye përse publiku nuk i pranon. Zakonisht kur ne hyjmë më thellë në muzikë, por ajo na kthjellon që ne të jemi më konkret ndaj publikut me atë që bëjmë, por gjithmonë brenda atyre vijave, stilit që ne dijmë të bëjmë.
Përveç muzikës, Besnik Qaka është bërë viral edhe në rrjetet sociale për videot e tij me vajzën, Una. Dyshja kanë emocionuar publikun me cover-at që realizojnë së bashku, të cilat kanë marrë miliona shikime dhe janë shpërndarë nga faqe të ndryshme ndërkombëtare. Një nga performancat që ka tërhequr më shumë vëmendje është cover-i i këngës “Die With A Smile”, ku kimia mes babë e bijë dhe talenti i vogëlushes kanë prekur publikun në mbarë botën. Vetë Besniku ka treguar se videot e Unës janë bërë virale edhe në Amerikë, ndërsa publiku ka vlerësuar natyrshmërinë dhe dashurinë që transmetojnë përmes muzikës. Si ndihet ai për këtë rrugëtim të ri artistik, këtë herë me vajzën e tij?
Ka qenë 6 vjeç kur e ka kënduar për herë të parë. Ne kemi një raport shumë të mirë. Una ka shumë talent për të kënduar. E marr në studio. Una është në shkollën e muzikës. Zakonisht, kjo është edhe ajo atmosfera që ne kemi në shtëpi, këndojmë nga pak. Unë kur shoh postimet e fundit, shoh që kanë qenë pafund nga e gjithë bota. Me të thenë të drejtën është një farë emocioni që këmbët më dridhen. Unë po përmbahem si prind, pasi ajo është ende e vogël. Nuk jam ai prind që dua t’a nxis me zor, nuk ja imponoj, ka ende kohë. Është vetëm 8 vjeçe dhe ka shkollën. Ka për të kaluar fëmijërinë. Ka për t’u rritur si të gjithë fëmijët e botës. Unë vetëm i qëndroj nga pas, në mënyrë të butë, sepse ndoshta nuk e di mund të bëhet edhe arkitekte. Mund të thotë ‘babi, nuk më pëlqen muzika’ edhe do dojë të bëhet arkitekte.