Aktualitet

Nga sot nafta 221 lekë; rritet dhe benzina, TAR vëzhgime në pikat e karburantit

Bordi i Transparancës i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit në mbledhjen e tij ka përcaktuar çmimet e reja të karburanteve, të cilat kanë shënuar rritje në krahasim me nivelin aktual.

Nga sot çmimi i naftës do të jetë 221 lekë për litër, nga 203 lekë që ishte deri dje dhe benzina 211 lekë, nga 206 që ishte më pare. Vendimi hyn në fuqi sot dhe zgjat deri të enjten. Operatorët thonë se dhe në këto nivele janë 15 lekë me humbje.

Vendimi i Bordit të Transparancës erdhi pas shtrenjtimit të karburanteve në bursë. Sot, një fuçi naftë po shitet me mesatarisht 110-112 dollarë, gjë që pritet të pasqyrohet edhe në Shqipëri.

Fakt është se rritja pasqyrohet menjëherë në tregun tonë, por kur çmimi i naftës ulet në bursa, ai nuk pasqyrohet fare ose vetëm pak. Kështu për shembull, kur çmimi i naftës në bursë ishte rreth 92 dollar, ai nuk zbriti më pak se 203 lekë/ litri në Shqipëri.

Top Albania Radio kreu një vëzhgim në disa pika në kryeqytet dhe pa se çmimet ishin gjithandej të unifikuara sipas vendimit të Bordit.