Rajoni

Një bombë shpërtheu jashtë zyrave të ”Hellenic Train” në Athinë!

Në Athinë, një bombë shpërtheu jashtë zyrave të kompanisë greke të hekurudhave “Hellenic Train” në Syngrou Avenue, në orën 21:35 me atë lokale.

Sipas informacioneve nga policia, një person ende i paidentifikuar i telefonoi gazetës “Efimerida ton Syntakton” dhe faqes së internetit “Zoungla” për të thënë se një bombë ishte vendosur jashtë zyrave dhe do të shpërthente për 35 minuta.

Ai paralajmëroi të dyja mediat se “kjo nuk është një shaka”.

Policia greke rrethoi zonën dhe ndaloi trafikun në Avenue Syngrou nga “Athanassiou Diakou” në rrugën “Kallirois”.

Një skuadër antibombë shkoi në vendngjarje dhe pa një skuter të vendosur jashtë zyrave të kompanisë, i kyçur pranë një shtylle, pa targa dhe me një çantë udhëtimi mbi të.

Specialistët e bombave nuk mundën të organizonin një shpërthim të kontrolluar pasi bomba shpërtheu në kohën e përmendur në telefonatë.

Sipas policisë nuk pati të plagosur dhe vijojnë hetimet.