Aktualitet Rajoni

Përplasja e trenave në Greqi, 5 shqiptarë të plagosur!

Janë pesë persona me nënshtetësi shqiptare që rezultojnë të plagosur në aksidentin fatal me përfshirjen e dy trenave në Greqi. Informacionin e  konfirmon Tirana zyrtare. Në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore ndërsa ende nuk ka informacion nëse ka shqiptarë mes viktimave.

Bazuar në komunikimin e fundit që ambasada dhe konsullata shqiptare në Greqi kanë patur me autoritetet greke, deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë në radhët e viktimave të aksidentit hekurudhor. Po vijohet me identifikimin e tyre. Pesë persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis mbërriti në Larissa të Greqisë, pranë vendit ku ndodhi aksidenti fatal mes dy trenave e që shkaktoi të paktën 38 viktima e 85 të plagosur, disa prej të cilëve të shtruar spital. I shoqëruar nga ministrat e Infrastrukturës dhe të Mbrojtjes së Qytetarëve, shefi i qeverisë garantoi se do të zbulohen shkaqet e tragjedisë, ndërsa u zotua të bëjë gjithçka që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Sipas informacioneve që japin mediat greke, shumica e viktimave ishin studentë e të mitur.  Disa do të mund të identifikohen nga ADN-ja. Tre vagonët e parë të trenit me pasagjerë morën goditje fatale nga përplasja  kokë më kokë. Të dy trenat lëviznin me shpejtësi maksimale e asnjë prej tyre nuk pati mundësi për të manovruar.

Po ashtu paraprakisht bëhet e ditur se një person u vu në pranga. Eshtë fjala për drejtuesin e stacionit që dha urdhër për nisjen e trenit me pasagjerë e që më pas u gjend përballë atij të mallrave në të njëjtat shina çka çoi në ngjarjen tragjike të një nate më parë. Greqia shpalli tre ditë zie kombëtare.