Bota Botë e Çuditshme

Një incident i pazakontë ka lënë pa energji elektrike një fshat të tërë, shkak derri?

Një incident i pazakontë ka lënë pa energji elektrike një fshat të tërë në provincën Sichuan, pasi një dron i telekomanduar, që transportonte një derr të plotë, u ngatërrua në linjat e tensionit të lartë. Sipas raportimeve, një fermer vendosi të transportonte derrat drejt thertores me anë të një droni të madh, për të shmangur ngarkimin e tyre në kamionë, proces që ai e konsideronte të ngadaltë dhe të vështirë.

Megjithatë, gjatë fluturimit të parë, pajisja u përplas dhe u ngatërrua në kabllot e energjisë elektrike. Si pasojë, jo vetëm që kafsha mbeti e varur në ajër për disa orë, por u ndërpre edhe furnizimi me energji për të gjithë fshatin. Fermeri, pasi dështoi ta zgjidhte vetë situatën, kontaktoi kompaninë e energjisë elektrike. Rreth 12 punonjës u angazhuan për më shumë se 10 orë për të rikthyer energjinë në zonë.

Dëmi u vlerësua në rreth 10 mijë juanë (afërsisht 1,400 dollarë). Sipas hetimeve, fermeri rezultoi fajtor për fluturim në një zonë të ndaluar dhe për mbingarkesë të dronit. Ai pretendoi se dukshmëria e dobët ishte shkaku i incidentit, por kjo nuk e shmangu përgjegjësinë ligjore.