Kur Giulia Manca udhëtoi drejt Pianosas në vitin 2011, nuk e mendoi se nuk do të kthehej më pas në vendlindjen e saj në Toskana. Ajo vazhdon të qëndrojë në hotel Milena edhe pas 12 vitesh, por pas kësaj fshihet një arsye interesante. Stafi i hotelit nuk përbëhet nga të punësuar të thjeshtë, por nga dhjetëra të dënuar në shërbim prove.
Manca, teksa qëndronte si mysafire në hotelin unik, u informua nga menaxheri i atëhershëm se hoteli ishte në vështirësi financiare dhe rrezikonte mbylljen. Nëse mbyllej, të dënuarit do të duhej të transferoheshin përsëri në burg. Në këtë moment, Giulia u vetëofrua të ndihmonte falas hotelin.
Tani e vetmja grua që jeton në ishullin e njohur si Alkatrazi i Detit Tirren, Manca shërben si menaxhere e hotelit dhe mbikëqyrëse e programit të rehabilitimit të ishullit të drejtuar nga Arnera, një organizatë jofitimprurëse me mision për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ndër to edhe të burgosurit. Manca tha për CNN se:
Qëndrova një javë në hotel dhe nuk doja të largohesha. Projekti i rehabilitimit të të burgosurve më magjepsi për faktin se si këtyre të burgosurve iu dha një shans i dytë në jetë.
Manca jeton dhe punon së bashku me një roje burgu si dhe me 10 të dënuar meshkuj, të cilët punojnë si kuzhinierë, kopshtarë, kamerierë, pastrues plazhi dhe pjatalarëse në hotel Milena, i vetmi objekt akomodimi në ishull. Të burgosurit këtu paguhen me një rrogë mujore për punën e tyre në hotel dhe qëndrojnë në lagjet e ish-burgut të vjetër. Atyre u jepen edhe celularë që të mund të mbajnë kontakte me familjen.
Vizitorët kanë filluar të lejohen vetëm së fundmi dhe ata që e vizitojnë mund të vijnë vetëm si pjesë e një turneu të organizuar me varkë që duhet të rezervohet nëpërmjet operatorëve të veçantë turistikë. Në vetëm pak vite, Manca ishte në gjendje t’i kthente gjërat në mënyrë të konsiderueshme dhe Hotel Milena është bërë një vend i njohur për dasma dhe ditëlindje, me të ftuar, pjesërisht të joshur nga stafi jo i zakonshëm i hotelit.