Bob Odenkirk është protagonisti i një thriller-i ‘rrethinash’ shkruar nga Derek Kolstad, krijuesi i “John Wick”.
Nëse jeni një mafioz rus me një dëshirë për të marrë jetë në mënyra groteske – duhet ta mendoni mirë përpara se të kruheni me një burrë periferie, në dukje i rëndomtë e i qetë po me John Wick-un brenda vetes.
Ky është thelbi i këtij thrilleri plot testosteron dhe gjak-u vu. Ylli i filmit Bob Odenkirk edhe pse në pamje të parë nuk është zgjedhja e duhur për një ‘hero’ të këtij zhanri, sjell një performancë të shkëlqyer.
Dhuna ‘elegante’ vjen e drejtuar nga regjisori i “Hardcore Henry” – Ilya Naishuller dhe skenaristi i trilogjisë “John Wick – Derek Kolstad.

Kamera e Pawel Pogorzelskit është po aq protagoniste tek “Nobody”, i cili i bën respekt zhanrit që përfaqëson duke i kthyer njerëzit në kinema pas kaq kohësh. Odenkirk arrin të jetë tërheqës po aq sa Bruce Willis apo Will Smith në skenat e aksionit – të cilat janë të shpeshta, të forta dhe të besueshme duke e bërë filmin të përtypshëm e duke i ikur sipërfaqësoritetit të imazheve të gjeneruar nga kompjuteri.
Ylli i serialit (mbase) më të mirë të të gjitha kohërave “Breaking Bad” dhe ‘prequelit’ aq të dashur “Better Call Saul”, tregon me këtë rol sa versatil-e është, dhe shikuesi i mësuar me të arrin të gjëje besim po aq sa të surprizohet nga ai.
Mirëpo thuajse askujt nuk ja priste mendja që ndalesa e rradhës e aktorit do të ishte roli i Hutch Mansell, një vrasës i paskrupullt dhe i pamëshirshëm të cilin askush nuk do donte ta njihte, aq më pak ta kishte komshi.
Përshkallëzimi i Hutch-it sidoqoftë nuk fillon menjëherë. Në përgjithësi ai është totalisht një askush, me një jetë përsëritëse dhe të mërzitshme, jeton në periferi me gruan e tij, Becca (Connie Nielsen, një rol që nuk i rri hiç përshtat përmasave të aktores) dhe dy fëmijët e tyre, më i madhi Blake (Cage Munroe) dhe vajza e vogël Abby (Paisley Cadorath).
Fillimi i fundit nis kur në shtëpinë tij hyjnë dy grabitës, aty shohim që mbas Hutch-it fshihet shumë më tepër. Pavarësisht dhunës që ai infekton – ngelet ‘i miri’ në film.

E vetmja pyetje që duhet ti bëni vetes përpara se të shihni filmin është – a jeni gati të harxhoni 92 minuta nga jeta juaj për të parë burra që rrihen dhe gjuhen me lloje soje armësh – me një konflikt që keni parë me dhjetra herë dhe me një investim intelektual 0… Hutch-i ktheht brenda kaq pak kohës nga ai burri që jeton përballë jush, në një
Terminator prej mishi dhe kockash në luftë me një nga kriminelët më të mëdhenj Rus – Yulian interpretuar nga Klaus Kinski.
I’m just a soul whose intentions are good
“Për shpirt kam qëllime të mira” -dëgjohet në sfond (The Animals) ndërkohë që bëhet kasaphana. Kalimi i Hutch nga 0 në 100 km/h është i ngjashëm me makinat e garave – por skenari nuk lë asgjë të pazgjidhur për Hutch-in. I gjithë arsyetimi i tij tregohet përgjatë filmit.
Arsyetim që ndihmohet edhe nga prania e të atit – David (një performancë plot zell nga Christopher Lloyd) edhe ky një pasqyrë e të birit – në dukje një pensionist që jeton në azil – derisa rasti e sjell të marrë 12.7-in dhe të bëjë kërdinë.
Ndërsa zëri misterioz alla “Mr&Mrs Smith” nuk do të rrijë i fshehur deri në fund – në finale edhe ai do të përfshihet (luajtur nga rreperi RZA).
“Nobody” nuk mund të jetë një stand-alone-film, lë aq shumë porta të hapura për një histori që vazhdon saqë nuk mund të jetë një film i vetëm; si rasti i dialogut me të shoqen:
Si dikur, apo? – thotë Hutch
Jam gati Hutch! – përgjigjet Becca e patundur…
Diçka që na bën të besojmë se ajo di diçka për të shkuarën e të shoqit, po ashtu ka diçka që ata i bën të largët – por çdo detaj i tillë ngelet i mjegullt.
Ajo që është e qartë, është se Hutch ndihet i lumtur që nuk është më ujk i veshur si dele – dhe se ajo jetë e qetë që dikur e kishte zili – nuk është për të.
E ndërsa me një copëz të mafias ruse dhe liderin e saj kapitulli u mbyll – çfarë ndodh më pas?
E nëse e shijoni “Nobody”, me siguri këtë do doni ta dini edhe ju.