Pas Prishtinës, Beogradi është ndalesa e radhës e të Dërguarit të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Kjo në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksander Vuçiç. Të dy liderët do të takohen më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, “Marrëveshje për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, për të cilën dy shtetet arritën dakordësi më 27 shkurt në Bruksel.
Dokumenti me 11 nene, i bërë publik nga Bashkimi Europian nuk përmend në mënyrë specifike njohjen reciproke që sipas Qeverisë së Kosovës “duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje të mundshme për normalizimin e raporteve”.
Por, në Nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin e integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e tyre për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Më 9 mars, Lajçak deklaroi se pati bisedime konstruktive e shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e marrëveshjes. Ai shtoi se takimi i përmbushi pritshmëritë që pati. Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak u shpreh se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, pasi Marrëveshja nuk do të jetë ligjërisht detyruese pa të.
Më 10 mars, Lajçak u shpreh:
Besoj që marrëveshja do të zbatohet të paktën pjesërisht, nëse jo plotësisht. Harmonizimi i një pjesë të mirë të udhërrëfyesit do të përbëjë sukses.
Tashmë, Lajçak do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën për të biseduar lidhur me normalizimin. Vuçiç e ka përsëritur se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk e ka të qartë” se çfarë do të diskutojë me Lajçakun.
Kosova e Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian në vitin 2011. Tani për tani, të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.