Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Britanisë ka paralajmëruar për një kombinim ekstrem të temperaturave të larta dhe lagështisë, që pritet të përfshijë vendin gjatë kësaj jave.
Zyra Meteorologjike britanike ka zgjatur paralajmërimin për nxehtësi ekstreme, duke parashikuar se temperaturat mund të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Sipas parashikimeve, moti përvëlues do të zgjasë nga e hëna deri të enjten, duke rritur shqetësimet për shëndetin e të moshuarve dhe personave më të rrezikuar.
Shërbimi meteorologjik britanik tha se ka “siguri në rritje” se kjo javë mund të thyejë rekordin e temperaturës më të lartë të regjistruar ndonjëherë në muajin qershor. Rekordi aktual është 35.6 gradë Celsius, i regjistruar në Southampton në vitin 1976 dhe në Camden Square të Londrës në vitin 1957.
“Vala e parashikuar e të nxehtit po shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme meteorologjike me ndikime të konsiderueshme, duke sjellë temperatura rekord për qershorin dhe nivele shumë të larta lagështie”, tha Tom Crabtree, zëvendëskryemeteorolog në Zyrën Meteorologjike.
“Kombinimi i nxehtësisë dhe lagështisë do të jetë mbytës dhe do të ketë pasoja në shumë sektorë të shoqërisë, nga shëndeti publik dhe infrastruktura, deri te furnizimi me energji elektrike dhe ujë”, shtoi ai.