Ilir Beqaj do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, i rrëzoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” lidhur me hetimet për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian kur drejtonte agjencinë SASPAC.
Avokati i tij kërkoi zëvendësim, me argumentin se ende nuk është marrë i pandehur nga SPAK-u dhe se nuk ka rrezik për t’u larguar, duke qenë se është treguar bashkëpunues. Vendimin e mori gjyqtarja Rudina Palloj në seancën e ditës së sotme.
Në burg, Ilir Beqaj është prej 4 korrikut të vitit të kaluar. Në ditët e fundit të dhjetorit 2024, SPAK-u ashpërsoi akuzat ndaj Ilir Beqajt, Klodian Rrjepajt e Ilir Rrapajt lidhur me dosjen e Sterilizimit. Për ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-zv.ministrin e sipërmarrësin, u ngritën akuzat e “grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Që të tre mbahen në arrest me burg, por Beqaj për SASPAC-un që është një çështje tjetër.
Prokuroria e Posaçme dyshon se ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga Agjencia për Menaxhimin e Fondeve të BE-së, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe me përfitues vetë Ilir Beqajn.
Dy ditë më parë ishte Gjykata e Lartë që rrëzoi rekursin e Ilir Beqajt për masën e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAC. Shkalla e tretë e gjyqësorit nuk pranoi as rekursin e të akuzuarve të tjerë, Alfred Nikolla, Bjona Ziaj, Bledar Leka, Elton Marini, Ermal Kurtulaj, Gazmend Haxhia. Për dosjen SASPAC, krahas Beqajt, në qelinë e paraburgimit ndodhen Kurtulaj e Nikolla ndërsa të tjerët kanë masë sigurie më të butë.