Për “Sterilizimin”, SPAK-u pranoi kërkesën e Gjykatës së Posaçme lidhur me rikualifikimin e akuzës për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, për t’u gjykuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pasi u tërhoqën për 30 minuta, dy prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili vendosën që të pranojnë kërkesën e gjyqtares së seancës paraprake Flojera Davidhi lidhur me rikuafilimin e veprës në “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Avokatët kërkuan kohë deri më 9 janar për të bërë mbrojtjen.
Më herët, Prokuroria e Posaçme kishte dërguar për gjykim dosjen e Sterilizimit, duke e akuzuar Beqajn për shpërdorim detyre. Ndaj Rrjepajt pati ngritur akuzat e mashtrimit me pasoja të rënda në bashkëpunim, falsifikimit të dokumenteve e shpërdorimit të detyrës ndërsa për Rrapajn, të mashtrimit me pasoja të rënda.
SPAK-u thotë se në dhënien e koncesionit nuk është respektuar ligji dhe kanë shpërdorur detyrën. Ndër gjetjet e konstatuara janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin, si edhe mosrealizimi i kushteve të parashikuara në kontratë. Sipas SPAK-ut, kostot e “Sterilizimit” janë rritur në mënyrë fiktive.