Bota

OBSH: Ndalni sulmet ndaj spitaleve në Gaza!

Numri një i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje të ndalen sulmet ndaj spitaleve në Rripin e Gazës, pasi dje Izraeli sulmoi dhe kontrolloi një të tillë, me pretendimin se nuk përdorej për trajtim mjekësor, por për strehimin e militantëve të Hamasit.

Spitalet në Gaza përsëri janë kthyer në fushëbetejë, ndërsa sistemi shëndetësor është në rrezik shumë të madh, theksoi Tedros në një postim në X. Ne e përsërisim: Ndalni sulmet ndaj spitaleve! Njerëzit në Gaza kanë nevojë për akses në kujdes mjekësor. Punonjësit humanitarë kanë nevojë për akses për të ofruar ndihmë mjekësore. Armëpushim!

Ushtria izraelite tha se militantët e Hamasit ishin në shënjestër të një sulmi në spitalin Al Wafa në qytetin Gaza, ku Mbrojtja Civile Palestineze raportoi se humbën jetën 7 njerëz. Hamasi palestinez është shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian.

Po ashtu, të premten e kaluar, forcat izraelite arrestuan mbi 240 palestinezë, përfshirë dhjetëra anëtarë të stafit mjekësor nga spitali Kamal Adwan, përfshirë drejtorin Hussam Abu Safiya. Kjo sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë, si dhe ushtrisë izraelite.

Forcat e Izraelit pretenduan se spitali po përdorej si qendër komanduese për operacionet ushtarake të Hamasit dhe se të arrestuarit dyshohet se janë militantë.

Abu Safiya u mor në pyetje, nën dyshimin se është operativ i Hamasit.

Tedros Adhanom Ghebreyesus kërkoi lirimin e menjëhershëm të Abu Safiya-s e deklaroi se spitali Al-Ahli, gjithashtu u përball me sulme.

OBSH-ja dhe partnerët shpërndanë furnizime bazike mjekësore, ushqim dhe ujë në spitalin indonezian të Gazës. Gjithashtu, transferuan 10 pacientë në gjendje të rëndë në spitalin Al Shifa.

Gjatë transferimit, katër pacientë u arrestuan. Ne i bëjmë thirrje Izraelit të garantojë që nevojat dhe të drejtat shëndetësore të këtyre njerëzve të respektohen.

Lufta në Gaza filloi kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 vetë, kryesisht civilë, si dhe rrëmbyen afro 250 të tjerë. Nga ajo kohë, lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë ka lënë të vdekur mbi 45 mijë palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.