Bota

Trump: Afër marrëveshjes me Iranin, anuluam sulmet ajrore/Teherani: Nuk ka finalizim!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se një marrëveshje paraprake me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit është shumë pranë finalizimit, duke njoftuar edhe se ka anuluar planet për sulme ajrore.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh se palët kanë arritur një “zgjidhje të shkëlqyer” për luftën me Iranin dhe se objektivi kryesor i negociatave ka qenë garantimi që Teherani të mos zotërojë armë bërthamore.

Ne kemi një marrëveshje që Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore, që ishte edhe qëllimi kryesor i gjithë procesit. Eshtë një arritje shumë e rëndësishme.

Megjithatë, autoritetet iraniane kanë treguar kujdes ndaj këtyre pretendimeve. Raportimet për një marrëveshje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i cilësoi si “spekulative” e theksoi se ende nuk është finalizuar një dakordësi.

Deklaratat e Trump-it vijnë disa orë pasi paralajmëroi se Amerika ishte e gatshme ta godiste Iranin “shumë fort”, duke shtuar pasigurinë rreth zhvillimeve diplomatike e ushtarake mes dy vendeve.

Konflikti u përshkallëzua më 28 shkurt, kur SHBA-të dhe Izraeli nisën një seri sulmesh të gjera ndaj Iranit.

Në përgjigje, Teherani ndërmori sulme kundër Izraelit dhe aleatëve amerikanë në rajonin e Gjirit Persik, teksa kufizoi ndjeshëm lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës e të gazit natyror të lëngshëm.

Edhe pse në prill u arrit një armëpushim, përplasjet mes palëve kanë vazhduar me ndërprerje. Vetëm këtë javë janë regjistruar dy raunde të reja sulmesh direkte, duke mbajtur të larta tensionet në rajon.