Bota

OKB: Bota të përgatitet për El Ninjon dhe temperatura të reja rekorde!

Agjencia Meteorologjike e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për rritjen e gjasave lidhur me zhvillimin e fenomenit të motit El Ninjo, në muajt e ardhshëm. Kjo duke nxitur temperatura më të larta globale e ndoshta dhe rekorde të reja nxehtësie.

Në një deklaratë të publikuar sot, Organizata Botërore Meteorologjike ka bërë të ditur se tani vlerëson që gjasat për zhvillimin e El Ninjos para fundit të korrikut qëndrojnë në 60%, ndërsa para fundit të shtatorit në 80%. Wilfran Moufouma Okia, shef i shërbimit për parashikimin e Klimës në OBM u shpreh:

Kjo do t’i ndryshojë tendencat e motit dhe të klimës në mbarë botën.

El Ninjo, një fenomen që ndodh natyrshëm e që zakonisht shoqërohet me rritje të nxehtësisë në mbarë botën, si dhe me thatësirë në disa pjesë të globit e me shira të rrëmbyeshëm në të tjera zona, për herë të fundit ka ndodhur në vitet 2018-2019.

Që nga viti 2020, bota është goditur nga e kundërta e ftohtë e El Ninjos, një La Ninja jashtëzakonisht e gjatë, e cila ka përfunduar më herët këtë vit, duke i hapur rrugën kushteve aktuale neutrale.

Por, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se tetë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtit të regjistruar ndonjëherë, pavarësisht efektit ftohës të La Ninjas gjatë gjysmës së periudhës.

Pa atë fenomen moti, situata me ngrohjen mund të ketë qenë edhe më e keqe.

La Ninja “ka vepruar si fre i përkohshëm ndaj rritjes globale të temperaturave”, u shpreh shefi i OBM-së, Organizatës Botërore Meteorologjike, Petteri Taalas. Ndërkaq, paralajmëroi:

Tani, bota duhet të përgatitet për zhvillimin e El Ninjos.

Në këtë fazë, nuk ka një tregues për fuqinë apo kohëzgjatjen e El Ninjos në ardhje.