Presidentja Vjosa Osmani tha se “Kosova i bashkohet deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe rithekson mbështetjen e plotë për integritetin dhe sovranitetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”. Sot në X shkroi:
Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm çdo veprim që minon themelet e Bosnjë-Hercegovinës, sepse kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar palodhshëm për ta arritur përmes sakrificave shumëvjeçare dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane.
Sekretari i Shtetit, Rubio tha dje se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Milorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë e stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe minojnë institucionet shtetërore të saj. Më 5 mars, Dodik dekretoi ligjet e miratuara nga Parlamenti i Republikës Sërpska, entitet serb i Bosnjës dhe që ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e të Prokurorisë së Bosnjës, në territorin e këtij entiteti.
Por, me një vendim të para dy ditëve, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë përfundimisht ato, pas një shqyrtimi të plotë. Liderët në Sarajevë, si dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar drejtuesit etnikë të RS-së, se po synojnë ndarjen e mundshme nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.
Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit. Gjykata e Bosnjës e dënoi Milorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burg dhe i ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.
Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka mohuar akuzat është nën sanksione nga SHBA-të e Mbretëria e Bashkuar për veprimet që sipas qeverive perëndimore, “synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja”. Sistemi i qeverisjes në Bosnjë-Hercegovinë, vend me rreth 3.1 milion banorë është ndër më të ndërlikuarit në botë.
Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 e i dha fund luftës në Bosnjë, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.
Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës. Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit nga Republika Sërpska.