Pas disa orësh i marrë në pyetje si deklarues, biznesmeni Behgjet Pacolli ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës.
“E kam lënë në dorë të drejtësisë, besoj shumë në drejtësi, do veproj ashtu siç do pasojë vendimet, aeroporti do të bëhet, do jetë aeroporti më i bukur”, tha ai para gazetarëve.
Pacolli u thirr nga prokurori Ndini Tavani dhe oficeri Andri Dervishi, për t’u pyetur si deklarues për 47 për qind të aksioneve të aeroportit dhe mosmarrëveshjen me Valdon Ademin.
Marrja në pyetje e Pacollit u krye si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin me aksionerin Valdon Ademin dhe ish-administratorin e kompanisë “Vlora Internacional Airoport”, Valon Lluka.
Pacolli u pyet jo vetëm për kallëzimin e aksionerit Valdon Ademi por edhe për kallëzimin që ka bërë Emin Pacolli në prokurorinë e Tiranës për tre personat si noteren Valbona Selimi, aksionerin në minorancë Valdon Ademi dhe ish-administratorin Valon Lluka.