Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, sot u paraqit në Prokurorinë e Tiranës. Burime për Top News bëjnë me dije se konflikti mes aksionarëve për Aeroportin e Vlorës është arsyeja e kësaj thirrjeje. Po ashtu, mësohet se Pacolli është kallëzues, si edhe i kallëzuar nga Valon Ademi.
Ndërkohë, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën me dije se Pacolli u thirr nga prokurori Ndini Tavani dhe oficeri Andri Dervishi, për t’u pyetur si deklarues për 47% të aksioneve të aeroportit dhe mosmarrëveshjen me Ademin.
Marrja në pyetje e Pacollit është si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin me aksionerin Valon Ademi dhe ish-administratorin e kompanisë “Vlora Internacional Airoport”, Valon Lluka.
Pacolli po pyetet jo vetëm për kallëzimin e aksionerit Valon Ademi, por edhe për kallëzimin që ka bërë Emin Pacolli në Prokurorinë e Tiranës për noteren Valbona Selimi, aksionerin në minorancë, Valon Ademi dhe ish-administratorin Valon Lluka.
Por si ka nisur konflikti?
Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi ka akuzuar publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim. Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2% të tyre, por pretendon 47%.
Mes palëve ekziston gjithashtu një kontratë noteriale, e firmosur menjëherë pas largimit të grupit turk YDA nga koncesioni i aeroportit. Ky grup kishte në pronësi 40% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës, të cilat formalisht ia shiti kompanisë Mabco të Behgjet Pacollit për shumën simbolike prej 4200 eurosh.
Po atë ditë, Mabco dhe 2A Group nënshkruan një marrëveshje të re për ndarjen e aksioneve, duke përcaktuar që Mabco të zotëronte 53% dhe 2A Group, 47% të tyre. Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndërkohë, kompania 2A Group e Ademit kërkon të njihet zyrtarisht si pronare e 47% të aksioneve, duke u mbështetur në kontratën noteriale dhe dokumentacionin e plotë të investimeve të realizuara gjatë dy viteve të fundit. Nga ana tjetër, Mabco e Pacollit kundërshton këtë pretendim dhe si aksionere kryesore e konsorciumit, ka marrë vendim të mos lejojë ndryshimin e strukturës së aksioneve.
Përplasja mes tyre ka çuar edhe në shkarkimin e administratorit të parë të kompanisë së aeroportit të Vlorës, ndërsa i dyti ka dhënë dorëheqjen pak ditë më parë.
Pas akuzave mes aksionarëve, Valon Ademi ka bërë kallëzim ndaj Pacollit dhe gjykata ka vendosur pak ditë më parë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu është pezulluar e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, e Pacollit deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së Aeroportit të Vlorës. Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër, “Mabco Construction S.A”.
Shtetasi Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës, i cili dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre, janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve e akteve.