Aktualitet

Pajtuesi i gjaqeve: Asllan Rraja i kërkoi familjes së Andi Malokut të mos merrte hak pa u vendosur drejtësia!

Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) vijon gjyqi për atentatin e 1 nëntorit 2019 në mbikalimin e Shkozetit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Partisë Demokratike. 5 vjet më parë, në automjetin e drejtuar nga shoferi i tij, Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë, Ndoja ishte i shoqëruar nga ‘Rrumi i Shijakut’.

Të pandehur në gjyq janë Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe, ndërsa Redjan Rraja u dënua me burgim të përjetshëm.

Në gjykatë dëshmoi shtetasi Beqir Broja, pajtues gjaqesh, i cili ka negociuar pajtimin gjaqeve mes familjeve Rraja dhe Maloku. Asllan Rraja, babai i Redjan Rrajës, telefonoi Beqir Brojan për t’i kërkuar babait të viktimës, Genci Malokut të mos marrë hak, të paktën deri kur të vendosë drejtësia.

Beqir Broja tregoi se për herë të parë i shkoi në shtëpi Genci Malokut, i cili i dha 3 muaj afat. Asllan Rraja kërkoi 3 muaj të tjerë, për shkak se pas ngjarjes, nuk arriti të marrë kontakt me djalin e tij.

Beqir Boja (pajtuesi i gjaqeve):

Në vitin 2019 kam jetuar në Kamëz, kam qenë Kryetari i Këshillit të Komunës Zall-Herr. Unë jam angazhuar me Komisionin e Pajtimit të Gjaqeve. Asllan Rraja më ka kërkuar që të negocioj më familjen e Genc Malokut. Ai më kërkoi që të negocioj për të birin, Redian Rraja.

I kam kërkuar familjes Rraja nëse kanë lidhje me këtë ngjarje dhe ata kanë bërë be në Kuran që ne nuk kemi asnjë dijeni për vrasjen e Andi Malokut. Kemi pritur Gencin Malokun, se ai nuk gjendej në shtëpi. I thashë që na ka dërguar familja e Asllan Rrajës.

Genc Maloku na tha se sipas rregullit shqiptar keni afat tre muaj që të shohim si do shkojë e gjithë gjëja. Më pas pati edhe një takim të dytë. Genci theksonte se djali u vra i pafajshëm në rrugë. Ne i kërkuam që të presë sa të shohim se çdo të thotë drejtësia, pasi Asllani nuk ka mundur të lidhet me djalin që të marrë informacion.

Do të vazhdoj të kërkoj të drejtën tjetër. Ne i kërkuam sërish afat 3 muaj e nuk e pranoi këtë kohë. Ky ka qenë takimi i fundit, më pas nuk jemi takuar më. Nuk i njoh të pandehurit në sallë. Genci Maloku na dha garanci që për tre muaj nuk do të merrte hak.