Aktualitet

Ish-prokurori Arjan Ndoja në GJKKO për atentatin në Shkozet: Si na sulmuan në mbikalim!

Ish-prokurori Arjan Ndoja, i zgjedhur deputet i PD-së më 11 Maj, sot dëshmoi në Gjykatën e Posaçme për atentatin te mbikalimi i Urës së Shkozetit, ku mbeti i plagosur, ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku gjeti vdekjen. Dëshmia erdhi në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Plaurent Dervishajt, i akuzuar si autor i këtij atentati. Në momentin e atentatit të nëntorit 2019, Ndoja ishte në automjet me shtetasin Aleksandër Laho, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut.

Ai u shpreh se kurrë nuk ka pasur probleme me njeri dhe shtoi se i vetmi shqetësim “ishin deklaratat e kryeministrit Edi Rama e të tjerë anëtarëve të qeverisë”.

Pjesë nga dëshmia e Ndojës:

Në vitin 2019 kam banuar në Tiranë, me punë kam qenë në Durrës. Gjatë atij muaji kam banuar në qytetin e Shëngjinit për periudhën që ti më pyet. Kam pasur makinë Mercedes Benz, automjetin e drejtonin të gjithë personat e familjes. Gjatë muajit tetor 2019 kam marrë një djalë në punë, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, Andi Maloku. Ka qëndruar me mua rreth një muaj, më shumë i kam dhënë unë makinës se ai, thjesht doja të ishte.

Përveç situatës që u godita me armë zjarri, nuk ka diçka tjetër. Ka qenë data 1 nëntor, ora 13:00. Konsumuam drekë me disa miq, kemi ndenjur deri rreth orës 16:00. Kam qenë me shoferin Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon. Këtë e kam njohur si avokat.

Në makinë drejtues mjeti ka qenë Andi Maloku, unë isha në sediljen e pasagjerit, pas ishte Aleksandër Laho. Unë do kthehesha për shtëpi, edhe ai për shtëpi, kemi pasur një segement të përbashkët rruge.

Te pjesa e parkimit të lokalit, kemi ndenjur 10 minuta, nuk e di a ka pasur njeri. Itinerari, te ura e Dajlanit, pastaj te mbikalimi. Sa kaluam në mbikalim, filluan të shtënat. Nuk e kuptova fillimisht, m’u duk si plastmas, plumbat vinin nga mbrapa.

Nuk kemi arritur ta shohim makinën, se nuk arrin dot. Të shtënat kanë qenë nga dy armë, se dalloheshin zhurma e ndryshme. Kanë qenë të shtëna, por jo breshëri.  S’jam i sigurt sa, por 13 predha duhet të kenë qenë

Makina u ngadalësua nga i ndjeri. Vetëm 3 minuta kam qenë koshient, jam rrëzuar në tokë pasi dola nga makina, isha pa ndjenja 6-7 minuta dhe e kam parë veten në spital.

Momentin që ka hapur derën, ndjesë pastë, Andi ra, duhet të ketë pasur dhimbje. Se ia doli të dalë nga makina. Eshtë si xhep vendi ku na goditën. Nuk kam dijeni kush më ka qëlluar.

Nuk kam pasur absolutisht me njeri asnjë problem, as me kthyer kokën mbrapa as majtas. Nuk kam pasur, e nuk kam shqetësime. Fizikisht njoh vetëm këtë njeriun këtu (Plarent Dervishaj). Kam qenë në një takim një herë me një avokat.

Unë motivin dua të di. Kam dëgjuar nga shtypi, nga shkresat që më keni nisur ju, por nuk e di pse e kanë bërë. Nuk i kam borxh askujt, më intereson arsyeja.

Kam një shtëpi në Shëngjin. Aty kam qëndruar. Nuk kam parë automjete të dyshimta, ndoshta ju duket e habitshme, por nuk kam pasur asnjë shqetësim. Edhe sot, pas 6 vitesh, të dalë dikush të më thotë se ça borxhi u kam.

I vetmi shqetësim i imi ka qenë nga kryeminstri, ish-zv.kryeministri, që kanë bërë deklarata publike për mua dhe për vetting-un e famshëm. Janë bërë lëvizje mashtruese në rotondo, që teknikisht të ndryshosh…

Unë vetëm një shqetësim kam pasur në atë kohë, deklaratat e drejtuesve të qeverisë. Sepse mendoja që mund të më vinin operacionalen, ose të më bënin presion me vetting-un.

Eshtë goditur prokurori, jo Arjan Ndoja. Arjan Ndoja ja ku është.