Bota

Panik mes pasagjerëve/ Avioni përplaset me një kullë radari në Antalya!

Një avion i kompanisë Turkish Airlines, tip Boeing 777-300ER, u përfshi në një incident serioz në aeroportin e Antalias mbrëmjen e djeshme, pasi goditi një shtyllë radari gjatë lëvizjes në tokë pas uljes.

Fluturimi TK2430 udhëtonte nga Stambolli për Antalia, por gjatë drejtimit drejt pozicionit të parkimit, avioni u përplas.


Shtylla depërtoi në trupin e avionit, dëmtoi krahun e djathtë dhe shkaktoi dëmtime në kabinën e pasagjerëve, duke rrëzuar edhe një mbajtëse të sipërme bagazhesh. Për pasojë, maskat e oksigjenit u aktivizuan automatikisht.

Në bord ndodheshin 267 pasagjerë. Të gjithë u evakuuan në mënyrë të sigurt nga ekuipazhi dhe ekipet e emergjencës. Tre persona morën plagë të lehta.

Sipas deklaratës së autoriteteve turke të transportit, avioni hyri gabimisht në një korridor taksimi (taxiway) të papërshtatshëm dhe u përplas me strukturën e radarit. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar nëse gabimi erdhi nga ekuipazhi apo nga udhëzimet e kontrollit tokësor.