Një pasagjer shqiptar vlerësohet si hero, pasi ndihmoi në shpëtimin e jetës së Ljubisa Karoviçit, një sipërmarrës serb 61-vjeçar, i cili u thith pjesërisht nga dritarja e avionit gjatë një fluturimi të Ryanair-it, nga Greqia drejt Gjermanisë.
Ai mbijetoi falë rripit të sigurimit dhe ndërhyrjes së pasagjerëve, ndërsa vijojnë hetimet për shkaqet. Gjithçka ndodhi kur një dritare u thye në mes të fluturimit, duke shkaktuar humbje presioni në kabinë.
I ulur pranë dritares në vendin 11F, Karoviç u tërhoq jashtë me gjoksin dhe krahun e djathtë, ndërsa avioni lëvizte me shpejtësi mbi 600 km/orë.
Pasagjerët, mes tyre edhe shqiptari që reagoi i pari, u përpoqën me dëshpërim ta mbanin brenda. Ai përdori fillimisht një çantë, e cila u thith menjëherë dhe më pas një valixhe për të bllokuar dritaren, duke arritur të stabilizojë situatën.
Në një intervistë për “The Guardian”, sipërmarrësi serb tha se kujtimi më i fortë që e përndjek është zhurma e shpërthimit që parapriu thyerjen e dritares së avionit.
Shpërthimi është ai që mbaj mend. Zhurma para kaosit, zhurma që më rikthehet sa herë mbyll sytë për të fjetur.
Karoviç humbi ndjenjat e pësoi lëndime në kokë, qafë, krah dhe gjoks, por arriti të mbijetojë.
Jam me fat. Ende kam dhimbje në kokë dhe qafë, por jam gjallë. Ndoshta më shpëtoi rripi i sigurimit, ndoshta ishte fati. Unë besoj në Zot dhe e falënderoj çdo ditë.

Sipas bashkëshortes, Svetlana Karoviç, pasagjerët reaguan menjëherë për ta mbajtur në vend, ndërsa një pasagjer, që ajo beson se ishte shqiptar, luajti rol vendimtar duke ndihmuar ta tërhiqnin brenda dhe duke bllokuar dritaren e dëmtuar me valixhe.
Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, u tregua i jashtëzakonshëm. Bëri gjithçka për ta futur përsëri brenda. Do t’i jemi gjithmonë mirënjohës.
Avokati i Karoviçit, pretendon se ndihma kryesore u dha nga pasagjerët dhe jo nga ekuipazhi i kabinës, duke akuzuar stafin se mbeti në gjendje shoku gjatë incidentit.
Nga ana tjetër, Ryanair i hedh poshtë këto pretendime, duke deklaruar se ekuipazhi ndoqi procedurat e sigurisë gjatë uljes emergjente.
Sipas kompanisë, pasi avioni zbriti në një lartësi të sigurt, stafi ndihmoi pasagjerin, e zhvendosi pranë bashkëshortes dhe siguroi asistencë mjekësore, deri në uljen e avionit në Selanik.
Karoviç doli nga spitali pak ditë më parë, por rikuperimi do të jetë i gjatë dhe mjekët e kanë këshilluar të mbajë suport për qafën, për të paktën gjashtë javë. Ai nuk e fsheh se përjetimi e ka bërë të frikësohet nga udhëtimet me avion.