Bota

Papa Françesku del nga spitali, përshëndet besimtarët!

Siç premtoi, Papa Françesku u shfaq në dritaren e spitalit Gemelli të Romës për një përshëndetje të shkurtër për besimtarët. Papa do të kthehet në Santa Marta pas 37 ditësh shtrimi në spital. Siç pati shpjeguar ekipi mjekësor, “Ati i Shenjtë nuk ka qenë asnjëherë i intubuar, por gjithmonë vigjilent” edhe pse ka pasur “dy episode në të cilat jeta e tij ishte në rrezik”.

Po ashtu, duke buzëqeshur para turmës, Papa u dëgjua të thonte disa fjalë:

Shoh këtë zonjën me të verdha, është mirë…

Papa doli me karrocë me rrota në ballkonin e vogël të Gemelli-t, i veshur me rrobën e bardhë papale. Zëri i tij dukej se ishte përmirësuar në krahasim me regjistrimin e parë dhe të vetëm në javët e fundit, gjatë të cilit, në spanjisht, falënderonte besimtarët për lutjet. Me dorën e tij, përvijoi një bekim duke bërë shenjën e kryqit. Para se të largohej nga ballkoni, Papa pati një tronditje të vogël, duke shfaqur ende disa vështirësi në frymëmarrje pas shumë ditëve të ventilimit mekanik dhe intensiv.

Në një mesazh të përgatitur, theksoi:

Zoti punon me kujdes tokën e jetës sonë dhe pret me besim kthimin tonë tek Ai. Në këtë periudhë të gjatë shtrimi në spital, kam pasur rastin të përjetoj durimin e Zotit, të cilin e shoh të reflektuar edhe në shqetësimin e palodhur të mjekëve e punonjësve të kujdesit shëndetësor, si dhe në vëmendjen dhe shpresat e familjeve të të sëmurëve. Ky durim besimplotë, i ankoruar në dashurinë e Zotit që nuk shuhet kurrë, është vërtet i nevojshëm për jetën tonë, veçanërisht për të përballuar situatat më të vështira dhe më të dhimbshme.

Në spital, Papa Françesku qëndroi prej datës 14 shkurt kur u diagnostikua me pneumoni të dyfishtë. Sipas mjekëve, ende do t’i duhet kohë për t’u shëruar plotësisht. Ndërkaq, shprehu shqetësimin për situatën humanitare në Gaza.