Spitali Universitar i Traumës po kalon një proces modernizimi të rëndësishëm të infrastrukturës, ndërkohë që shërbimet shëndetësore vijojnë normalisht dhe pa asnjë ndërprerje për pacientët.
Edhe pse disa hapësira spitalore janë aktualisht në rikonstruksion përmes një njoftimi për mediat Spitali bën me dije se sistemi shëndetësor funksionon me kapacitete të plota, duke garantuar vazhdimësinë e kujdesit mjekësor. Ndërhyrjet kirurgjikale kryhen sipas planifikimit, ndërsa sallat operatore janë funksionale me dy turne përfshirë edhe fundjavat.
Ky njoftim nga Spitali vjen vetëm disa orë pasi Deputetja Erisa Xhixho tha se rikonstruksioni i plotë i godinës ka sjellë bllokimin e shërbimeve shëndetësore. Deputetja kërkoi gjithashtu interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala duke paralajmëruar se situata mund të rrezikojë edhe përballimin e emergjencave në nivel kombëtar.
Njoftimi i plotë:
Sqarim mbi shërbimin në Spitalin Universitar të Traumës (SUT):
Rikonstruksioni në Spitalin Universitar të Traumës
Lidhur me pretendimet e fundit, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se:
Shërbimi nuk është ndërprerë: Rikonstruksioni i godinës po kryhet me faza për të mos penguar trajtimin e qytetarëve.
Urgjenca në funksion: Blloku i Urgjencës është plotësisht i riorganizuar dhe funksional.
Kirurgjia Ortopedike: Ndërhyrjet vijojnë normalisht me dy turne, përfshirë edhe fundjavat.
Siguria Higjienike: Sallat operatore monitorohen vazhdimisht dhe nuk paraqesin asnjë rrezik bakterial.
Furnizime të garantuara: Nuk ka mungesë të medikamenteve apo materialeve mjekësore.
SUT mbetet shtylla kryesore e sistemit tonë shëndetësor, i gatshëm për të përballuar çdo fluks dhe për të garantuar shërbim cilësor për çdo pacient.
Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:
Sot dua të denoncoj një situatë alarmante në Spitalin Kombëtar të Traumës.
Siç e shihni, spitali është në rikonstruksion të plotë, një proces që pritet të zgjasë deri në 2 vite.
Kjo situatë ka bërë që blloku operator qendror të mbyllet dhe 10 salla operatore të dalin jashtë funksionit, duke sjellë një kolaps të shërbimit. Zgjidhja e dhënë deri më tani nuk po garanton vazhdimësinë e shërbimit shëndetësor.
Mijëra pacientë janë lënë në lista pritjeje, me ankthin e sëmundjes që nuk arrijnë ta trajtojnë në kohë. Operacionet shtyhen me muaj e vite dhe shumë qytetarë detyrohen të paguajnë në privat ose të largohen jashtë vendit.
Nuk kryhen më ndërhyrjet ortopedike dhe mungojnë shërbime si okulistika, urologjia apo trajtimi i këmbës diabetike. Ndërkohë, infeksionet spitalore dhe bakteret e rrezikshme janë evidentuar edhe në sallat operatore.
Edi Rama flet për “shëndetësi falas”, ndërkohë që 60% e shpenzimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve. Realiteti është mungesa e ilaçeve dhe një sistem në kolaps.
Ndaj kam kërkuar me urgjencë interpelancë me Ministren e Shëndetësisë për të sqaruar këtë situatë dhe për të marrë masat urgjente për përballimin e saj.
Kjo situatë po cenon sigurinë kombëtare, pasi në një emergjencë që mund të ndodhë në çdo moment, vendi është praktikisht pa një spital traume funksional që mund t’u shërbejë pacientëve në kohë.
Koha për llogaridhënie dhe jo me propagandë!