Rajoni

Para takimit me Lajçakun, Vuçiç: Do të bisedojmë për atë që mund të bëhet në Ohër!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se gjatë takimeve të kaluara me të dërguarin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, ka diskutuar se çfarë mund të bëhet sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, nëse dikush nuk është i gatshëm as të bisedojë, e lëre më të zbatojë Asociacionin e komunave serbe, atëherë kjo nuk ka kuptim.

Ai bëri të ditur se në prag të udhëtimit në Ohër për të takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe Lajçakun do t’i drejtohet popullit rreth pozicionit të tij për Kosovën.

Do ta them si i shoh gjërat dhe çfarë mund të bëjmë në të ardhmen. Të mërkurën e të enjten unë do të flas sa u përket Kosovës e Metohisë.

Lidhur me pozicionin amerikan se “Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, Vuçiç deklaroi:

Nuk mund ta kritikoj dikë para se të bëjë diçka, nuk mund të paragjykoj diçka të keqe.

Më 9 mars, Lajçak deklaroi se pati bisedime konstruktive e shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Zyrtari shtoi se takimi i përmbushi pritshmëritë që pati. Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak u shpreh se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, pasi Marrëveshja nuk do të jetë ligjërisht detyruese pa të.

Më 10 mars, Lajçak u shpreh:

Besoj që marrëveshja do të zbatohet të paktën pjesërisht, nëse jo plotësisht. Harmonizimi i një pjesë të mirë të udhërrëfyesit do të përbëjë sukses.

Tashmë, Lajçak do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën për të biseduar lidhur me normalizimin. Vuçiç e ka përsëritur se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk e ka të qartë” se çfarë do të diskutojë me Lajçakun.

Kosova e Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian në vitin 2011. Tani për tani, të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.