Partizani “fluturon” në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa mundi 2-1 Laçin në “Arenën e Demave”. Të besuarit e Abilaliaj, i cili mori drejtimin pas largimit të Veselinovic, barazuan pa gola në aktin e parë, ndërsa këtë të martë eliminuan laçjanët në një sfidë plot emocione.
Takimi nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që treguan dëshirë të madhe. Të kuqtë kaluan në epërsi pas 17 minutash lojë. Një goditje e bukur me të majtën e Bintsoukës vendosi në provë portierin, teksa pas topit të kthyer, Podstrelov ia doli që të dërgojë topin në rrjetë.
Takimi do komplikohej për kryeqytetasit në fundin e pjesës së parë. Sembene u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyerje ndaj Mjakit, duke lënë ekipin me një lojtar më pak.
Në fillimin e fraksionit të dytë, kurbinasit shfrytëzojnë në maksimum superioritetin numerik dhe barazojnë llogaritë. Bibo provoi nga distanca dhe realizoi një gol fantastik, duke gjetur të papërgatitur Qirkon.
Partizani nuk u demoralizua dhe një minutë para fundit të kohës së rregullt, “tundi rrjetën” me Kekon, i cili goditi saktë nga brenda zone. Partizani i ka objektivat e qarta, teksa synon që t’i shkojë deri në fund rrugëtimit në Kupë.
Pas ndeshjes foli Arbër Abilaliaj. Ky i fundit mban postin e trajnerit dhe drejtorit te Partizanit:
“Në fillim doja të falenderoja futbollistin, ambientin, tifozët që jashtëzakonisht shumë. Jam tepër i kënaqur sepse me bindjen që kam për cilësitë e futbollistëve, e dija që e vështirë, por kisha besim të plotë që do e kalonim më tutje. Vinim nga moment jo i mirë. Kjo përgjigje, si u luftua dhe u besua, ky është shpirti i këtij ekipi. Duhet të qëndrojmë në shina, për të kuptuar se ky ekip ka kualitet, grintë dhe nuk ka pse mos të arrijë të gjithë objektivat që ka.
Duhet besuar që është ekip i ri, mekanizma dhe filozofi e re. Duhet pak kohë, sot ishte vetëm 1 tullë për shtëpinë e madhe. Sot çunat të shijojnë fitoren, ka shumë gjëra për të bërë dhe për t’u kthyer në ekip që i pretendon të gjitha, -u shpreh Abilaliaj.
Trajneri i Laçit, Françesko Moriero:
“Skuadra luajti mirë dhe dominoi ndeshjen. Ndeshjet vendosen edhe nga gabime individuale. Bëmë vetëm dy gabime dhe pësuam dy gola. Më vjen keq sepse me atë që treguan çunat në fushë, do ta meritonim të kalonim turin. Interpretuam ndeshjen taktikisht mirë, ishim agresivë. Gabimet paguhen, kështu ndodhi sot. Do mendojmë për të tjerat. Na vjen keq për tifozët, klubin dhe lojtarët, por bëmë gjithçka për të fituar ndeshjen.