Pas akuzave të PD ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj së është i implikuar në trafik droge duke paraqitur edhe një përgjim ambjental ku Agron Xhafaj pretendohet se bisedon me një trafikant droge, Ministri i Brendshëm doli në konference për Shtyp për të dhënë shpjegime lidhur me këtë çështje. Ndërkaq Xhafaj tha se: “Ngjarja ka ndodhur në vitin 2002. Vëllai im ka qenë rreth 25 vjet në atë kohë, e kanë ndaluar për 1 muaj dhe e kanë liruar duke urdhëruar largimin nga Italia. Kam qenë ministër i Turizmit në qeverinë Majko. Kam kërkuar dorëheqjen për këtë ngjarje, por pasi u panë rrethanat dhe përfshirjen time, kryeministri nuk e pranoi dorëheqjen time. Agroni për asnjë çast nuk iu fsheh hetimit, por ka kërkuar që të marrë pjesë në këtë çështje. Vendimi përfundimtar ka vite që është në fuqi, asnjë veprim i imi nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit penal ndaj tij. Asnjëherë si funksionar publik dhe si ministër nuk kam bërë kompromis me faktin që vëllai im nuk duhet të vuante dënimin e dhënë, edhe pse ajo cka ai ka bërë është e shpërpjestuar me dënimin e madh. Janë gati të bashkëpunojnë edhe me djallin vetëm e vetëm që kjo qeveri të ikë sa më parë. Garantoj se edhe nëse unë do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, kolegët dhe partnerët ndërkombëtarë nuk do të prishet më. Ministri i Brendshëm e quajti sajesë audio-përgjimin dhe i kërkoi Prokurorisë që të hetojë sa më parë. Ai thotë se po shantazhohet nga opozita. Shpejt edhe SPAK edhe BKH do të jetë në funksion e krimi do të humbasë terren. Askush nuk më shantazhon, askush nuk më pengon në arritjen e qëllimeve të mia”, thotë Xhafaj.