Pas takimit me Albin Kurtin, këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i tha kryeministrit të Kosovës se është koha për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë përparimin drejt themelimit të Asociacionit.
Dy vendet kanë arritur marrëveshje për Asociacionin në vitin 2013 e më pas më 2015-ën, mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës arriti në përfundimin se “marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën”.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria Kurti u deklarua kundër asociacionit njëetnik. Biseda Chollet-Kurti u zhvillua para takimit të 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Në postimin e Chollet-it thuhet se sërish ai ka përmendur mbështetjen amerikane për një takim konstruktiv, që konfirmon përkushtimin e palëve ndaj propozimit të Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve.
I dërguari i BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të bien dakord për afatet e zbatimit të propozimit europian.
I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian më 2011-ën. Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar. Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova pret njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.