Pas një studimi që tregoi lidhje të fortë midis maktheve dhe intolerancës ndaj laktozës, ekspertët këshillojnë që të jeni të kujdesshëm me djathin që konsumoni. Simptomat që përjetojnë personat e ndjeshëm ndaj laktozës, si dhimbjet e barkut apo gazrat, mund të ndikojnë edhe në cilësinë e gjumit gjatë natës. Kuptimi i kësaj lidhjeje dhe ndoshta heqja e djathit nga dieta, mund të ndihmojë për të përmirësuar gjumin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi një gjumë i mirë është shtylla e funksionimit të shëndetshëm të trupit, ndërkohë që shumë njerëz tashmë vuajnë nga gjumi i keq për shkak të zhurmës, ndotjes së dritës apo problemeve të tjera shëndetësore.
“Rëndesa e maktheve lidhet fort me intolerancën ndaj laktozës dhe alergjitë e tjera ushqimore. Zbulimet e reja tregojnë se ndryshimi i zakoneve të të ushqyerit te personat e ndjeshëm mund të lehtësojë makthet. Kjo mund të shpjegojë edhe pse njerëzit shpesh fajësojnë produktet e bulmetit për ëndrrat e këqija,”-ka thënë në një deklaratë udhëheqësi i studimit, Dr.Tore Nilsen nga Universiteti i Montrealit.
Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit anketuan mbi 1,000 studentë në Universitetin McEwan në Kanada mbi zakonet e gjumit, të ushqyerit dhe çdo lidhje të mundshme mes tyre. Rreth një e treta e pjesëmarrësve raportuan makthe të shpeshta. Shumica e tyre ishin femra, të cilat ishin gjithashtu më të prira të kujtonin ëndrrat e tyre dhe pothuajse dyfish më shpesh se burrat raportonin alergji ushqimore ose intolerancë.
Rreth 40% e studentëve besonin se një vakt i ngrënë natën apo konsumimi i ushqimeve të caktuara ndikonin te gjumi i tyre, ndërsa çdo i katërti mendonte se ushqime të veçanta mund ta përkeqësonin gjumin. Shumë prej tyre fajësuan ushqimet pikante, ëmbëlsirat dhe bulmetin. Megjithatë, vetëm 5.5% mendonin se ushqimi ndikon drejtpërdrejt në përmbajtjen e ëndrrave. Ata që ndiqnin një dietë më pak të shëndetshme kishin më shumë gjasa të kishin makthe dhe kujtonin më pak ëndrrat e tyre.
Autorët e artikullit krahasuan raportet e intolerancës ushqimore me të dhënat për makthet dhe gjumin jo cilësor, duke zbuluar një lidhje midis intolerancës ndaj laktozës, simptomave gastrointestinale, maktheve dhe cilësisë së ulët të gjumit. “Makthet janë më të rënda tek ata që janë të ndjeshëm ndaj laktozës, që kanë probleme të forta gastrointestinale”-thekson Dr. Nilsen. Ekipi shkencor thekson se vetëdija për intolerancën ushqimore mund të ketë bërë që disa studentë të kenë shmangur ushqimet që ndikojnë negativisht në gjumë.