Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Francës do të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë e Serbi. Sipas diplomatëve në Bruksel, qëllimi është përpjekja që “të shpëtohet procesi i dialogut” dhe Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.
Qëllimi i vizitës është të shtyhet përpara zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin e saj.
Pas raundit të fundit të dialogut në nivel të lartë më 14 shtator, kryediplomati europian Josep Borrell tha se të dy palët po shkelin detyrimet e akordit. Por, gjatë këtij takimi, Borrell deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi një plan të sekuencimit për zbatimin.
Marrëveshja me 11 nene, ndër të tjera përfshin një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje reciproke të simboleve shtetërore. Nga Prishtina dhe Beogradi kërkon t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut.
Të gjitha këto vende janë një lloj garantuesish të marrëveshjes dhe askush nuk dëshiron ta shohë të dështojë. E vetmja mënyrë që situata të stabilizohet në afat të gjatë është përparimi në procesin e dialogut dhe normalizimit.
Eshtë i domosdoshëm angazhimi i vendeve të mëdha të BE-së krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shpëtuar dialogun pasi fuqia e përfaqësuesve të BE-së në këtë drejtim nuk do të ishte e mjaftueshme.
Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si Pesëshja e Madhe është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Një grup serbësh të armatosur vranë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi shprehet se nuk ka gisht në të. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Milan Radoiçiç, i cili dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.