Aktualitet

Pezullohet zv.drejtori i OFL-së, Artan Shkëmbi

Pezullohet nga detyra Artan Shkëmbi, kreu i OFL-së Operacionit Forca e Ligjit. Shkak janë dyshimet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Mësohet se vendimi i është komunikuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deri në përfundim të hetimeve nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. SPAK është informuar nga autoritetet gjermane të hetimit se Shkëmbi ka nxjerrë një informacion të dhënë prej tyre. Bëhet fjalë për lajmërimin e një  shtetasi shqiptar se ishte nën hetim pasuror nga Gjermania.

Artan Shkëmbi mban edhe postin e kreut të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjithashtu Shkëmbi e ka kaluar procesin e Vettingut, dhe ishte kandidat për në Byronë Kombëtare të Hetimit, e njohur edhe si FBI-ja shqiptare.

Hetimet janë ndjekur me metoda speciale ndërsa pritet që në përfundim të tyre të vendoset edhe për fatin e Shkëmbit që me këto akuza rrezikon një përballje të fortë me ligjin. Ky është hetimi i parë në nivele të larta drejtuese në Policinë e Shtetit ndërsa më herët Artan Shkëmbi ka mbajtur edhe postin e kreut të strukturës “Forca e Ligjit” që u shkri për t’i hapur rrugë “OFL-së”.