Bota

Piu koktej me azot të lëngshëm, i riu përfundon në spital!

Një incident i pazakontë dhe i rrezikshëm është regjistruar gjatë një feste korporative në studion e kuzhinës “Igra Stolov” në Moskë, ku një burrë 38-vjeçar përfundoi në spital pasi konsumoi një koktej të përgatitur me azot të lëngshëm. Ngjarja u raportua fillimisht nga kanali i njohur rus në Telegram, BAZA.

Sipas raportimeve, miksologu i punësuar për eventin synonte të impresiononte të ftuarit duke përdorur azot të lëngshëm për të ngrirë pijet, duke krijuar një efekt vizual spektakolar me mjegull të dendur gjatë avullimit. Megjithatë, pijet dyshohet se u shërbyen për konsum pa u avulluar plotësisht, ndërsa pjesëmarrësit nuk u informuan për rrezikun e mundshëm.

Mediat ruse raportuan se burri pësoi një dëmtim serioz në stomak si pasojë e gëlltitjes së pijes dhe iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale. Autoritetet shëndetësore konfirmuan se gjendja e tij është stabilizuar, ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme mbi ndërlikimet afatgjata.