Bota

Sulme masive me dronë në Moskë, Ukraina godet rafinerinë e naftës dhe paralizon aeroportet

Ukraina ka kryer sulme masive me dronë në një nga zonat më të rëndësishme të Moskës, duke e kthyer kryeqytetin rus në një skenë lufte dhe duke shënuar atë që konsiderohet si një nga operacionet më domethënëse të Kievit në dy vitet e fundit. Për herë të dytë brenda kësaj jave, rafineria e naftës në Moskë është goditur nga dronë ukrainas, duke shkaktuar shtëllunga të mëdha tymi të zi mbi qytet.

Sipas autoriteteve ruse, sulmet me dronë kamikazë kishin si objektiv rafinerinë e naftës në kryeqytet, ku u raportuan disa shpërthime në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Si pasojë e situatës së sigurisë, autoritetet ndërprenë fluturimet civile, duke çuar në anulimin e rreth 500 fluturimeve në aeroportet kryesore të Moskës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi sulmin në platformën “X”, duke deklaruar se bëhet fjalë për një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse mbi qytetet ukrainase.

Ndërkohë, Moska reagoi përmes zëdhënësit të Kremlinit, i cili tha se veprime të tilla nuk ndihmojnë në afrimin e një takimi mes presidentëve Vladimir Putin dhe Zelensky për negociatat e paqes.

Në anën diplomatike, Zelensky bëri të ditur se ka përdorur samitin e G7-ës në Evian të Francës për të shtyrë përpara përpjekjet për një zgjidhje të konfliktit. Ai tha se ka zhvilluar biseda me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin francez Emmanuel Macron, duke e cilësuar komunikimin si “të rëndësishëm dhe koordinues”, me potencial për ndryshime në dinamikën e luftës që vijon prej më shumë se katër vitesh.