Bota

Plan për operacione tokësore në Iran/Pentagoni po i jep Trump-it opsione!

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po përgatit planin për operacione tokësore në Iran, që nuk do të arrinin në një pushtim në shkallë të plotë, por mund të përfshinin mijëra trupa dhe të zgjasnin disa javë ose muaj.

Kështu raporton “The Washington Post”, që i referohet burimeve të zyrtarëve amerikanë.

Presidenti Donald Trump, ende nuk ka miratuar asnjë nga këto plane.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Pentagoni po i jep presidentit “opsione maksimale”, por kjo “nuk do të thotë se ka marrë një vendim”.

Planet e mundshme përfshijnë dërgimin e forcave speciale dhe këmbësorisë konvencionale për sulme të zgjatura në zonat bregdetare pranë Ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë pushtimin e mbajtjen për një kohë të gjatë të ishujve të kontrolluar nga Republika Islamike e Iranit.

Ekspertët paralajmërojnë se mbajtja e territorit do t’i ekspozonte ushtarët amerikanë ndaj rreziqeve shumë më të mëdha se deri tani në këtë luftë, ku tashmë kanë humbur jetën 13 ushtarë amerikanë dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur.

Një burim tha se objektivat do të arriheshin për “javë, jo muaj”, ndërsa një tjetër vlerësoi se operacionet mund të zgjasin “dy muaj”.

Ndërkohë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit, sot kërcënoi se do të sulmojë universitetet amerikane në Lindjen e Mesme, pasi pretendoi se sulmet amerikano-izraelite shkatërruan dy universitete iraniane.

IRGC u bëri thirrje punonjësve, profesorëve dhe studentëve të universiteteve amerikane në rajon që të qëndrojnë të paktën një kilometër larg kampuseve.