Botë e Çuditshme

Policia ndalon një burrë pasi udhëtonte me mjetin më të çuditshëm/FOTO!

Një drejtues mjeti mund të ndalohet nga policia për shumë arsye, si për shembull tejkalimi i shpejtësisë, kalimi me semafor të kuq apo xhamat e errësuar. Por në Montana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një burrë është bërë lajm për një arsye krejt të pazakontë. Ai po drejtonte një banane gjigante mbi rrota.

Është fjala për Steve Braithwaite, i cili ka transformuar një kamion “Ford F-150” të vitit 1993 në një automjet 7 metra të gjatë në formë bananeje. Sipas mediave të huaja, projekti nisi në vitin 2008 dhe përfundoi në vitin 2011, me synimin për të sjellë më shumë humor dhe fantazi në rrugët e Amerikës. Megjithëse pamja e pazakontë e mjetit tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, policia e ndaloi për një arsye konkrete: targa e automjetit ishte pjesërisht e mbuluar nga dy kuti, duke e bërë të vështirë leximin e saj.

Ndërkaq, një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kaliforni, ku një shoferе është ndaluar nga policia jo për shkelje të rënda rrugore, por për shkak të targës së automjetit të saj, e cila rezultoi të ishte e bërë me dorë. Gruaja po drejtonte një automjet tip Nissan Sentra dhe, sipas autoriteteve, dokumentacioni i saj ishte i rregullt dhe sjellja në trafik korrekte. Megjithatë, gjatë kontrollit rutinë, një efektiv i California Highway Patrol vuri re se targa e pasme e makinës nuk ishte zyrtare.

Në vend të targës standarde të lëshuar nga shteti, drejtuesja kishte vendosur një version artizanal, të shkruar me dorë dhe të ngjitur në pjesën e pasme të mjetit. Targa përmbante edhe numrin identifikues të automjetit, si dhe mbishkrimin California, duke imituar pamjen e një targe origjinale. Megjithatë, detajet nuk ishin të plota dhe disa elementë rezultonin të improvizuar. Policia ka sqaruar se, pavarësisht karakterit të pazakontë dhe kreativ të rastit, ligji është i qartë dhe lejon vetëm përdorimin e targave zyrtare të lëshuara nga autoritetet shtetërore. Për këtë arsye, shoferja është gjobitur me 197 dollarë amerikanë.