Forcat e Policisë së Shtetit kanë vijuar aksionin e tyre në zonat malore të Krujës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Tiranës, me qëllim evidentimin dhe asgjësimin e parcelave të kultivuara me kanabis.
Gjatë operacionit të zhvilluar në terrene të thella dhe të vështira, janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë rrënjë kanabis, të shpërndara në afro 100 parcela të ndryshme, kryesisht në zona të izoluara malore.
Sipas burimeve policore, çdo parcelë përmbante nga 50 deri në 100 bimë narkotike, ndërsa strukturat hetimore kanë identifikuar disa persona të dyshuar si përgjegjës për kultivimin dhe administrimin e tyre. Këta persona janë shpallur në kërkim dhe po vijojnë hetimet për kapjen e tyre.
Në operacion janë angazhuar 15 grupe efektivësh policie, të cilët po kryejnë kontrolle intensive në të gjithë zonën e prekur. Autoritetet bëjnë me dije se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, me synim goditjen e rrjeteve të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.