Ministri i Jashtëm i Polonisë ka sugjeruar që shtetet e NATO-s duhet të shqyrtojnë vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainën për të mbrojtur territorin dhe njerëzit e aleancës nga dronët rusë.
Komentet e Radoslaw Sikorskit vijnë pas një ndërhyrjeje javën e kaluar nga dronë rusë në hapësirën ajrore polake. Avionët luftarakë dhe mbrojtja ajrore e NATO-s i rrëzuan dronët, të cilët nuk ishin të armatosur.
Duke folur për zgjerimin e misioneve të tilla në hapësirën ajrore ukrainase, Sikorski i tha gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine : “Ne si NATO dhe BE mund të jemi të aftë ta bëjmë këtë, por nuk është një vendim që Polonia mund ta marrë e vetme; mund të merret vetëm me aleatët e saj.”
“Mbrojtja për popullsinë tonë – për shembull, nga mbetjet që bien – do të ishte natyrisht më e madhe nëse do të mund të luftonim dronët dhe objektet e tjera fluturuese përtej territorit tonë kombëtar. Nëse Ukraina do të na kërkonte t’i rrëzonim ato mbi territorin e saj, kjo do të ishte e dobishme për ne. Nëse më pyet mua personalisht, duhet ta shqyrtojmë”, shtoi Sikorski.
LEXO EDHE: Polonia: Do të rrëzojmë raketat ruse mbi Ukrainë, para se ato të hyjnë në hapësirën e saj ajrore!
Një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë, e cila u promovua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky menjëherë pas pushtimit të plotë rus, u diskutua nga aleatët e NATO-s gjatë administratës Biden në vitin 2022, por u refuzua nga frika se përballja e drejtpërdrejtë me aeroplanët luftarakë rusë mund ta zgjeronte luftën.
Propozimi aktual i Sikorskit duket se kufizohet vetëm në trajtimin e dronëve rusë që i afrohen kufijve të Ukrainës me shtetet e NATO-s.