Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), presidenti Aleksander Vuçiç tha se shpreson që deri në fund të vitit të mund ta vizitojë Kosovën. Siç raporton Radiotelevizioni i Serbisë, (RTS), Vuçiç u shpreh se “Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se nuk do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës”.
Ne po përgatitemi për bisedime të hënën e të martën dhe pas kësaj do të shkojmë në Ohër. Më besoni se nuk e kam të qartë se për çfarë do të flasim atje.
I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Beogradin më 13 e 14 mars. Vizita pason ndalesën dy ditore në Prishtinë ku fillimisht takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit me Lajçakun, Kurti u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër të nënshkruajë Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë.
Një ditë më parë, zyrtari europian zhvilloi bisedime me subjektet opozitare në Kosovë e me përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Diskutimet u fokusuan rreth propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Lajçak tha:
Qëllimi i vizitës dyditore është të dëgjoj qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin europian për normalizim, për të cilin palët ranë dakord gjatë takimit të 27 shkurtit. Kjo në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes. Tani, BE-ja po punon me palët në planin e zbatimit të këtij propozimi.
Propozimi përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet në mënyrë të vendosur njohja reciproke. Por, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese. Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së.