Eshtë bllokuar aksesi në llogarinë e kryebashkiakut të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në rrjetin social X në Turqi. Kjo pas një kërkese ligjore. Më 19 mars, policia turke e arrestoi Imamoglun, i cili njihet si rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, duke nxitur kështu edhe protestat më të mëdha në Turqi, në dekadën e fundit.
Ai u burgos katër ditë më vonë, në pritje të gjykimit në lidhje me akuzat për korrupsion, të cilat i mohon. Partitë opozitare e kanë quajtur arrestimin, “veprim të politizuar” dhe “antidemokratik”. Në llogarinë e Imamoglut në X numërohen rreth 10 milion ndjekës.
Avokati i njohur turk, Gonenc Gurkaynak, komentoi në rrjetet sociale se me kërkesë të platformës X, ai do të bëjë një ankesë ndaj vendimit gjyqësor për bllokimin e aksesit në llogarinë e kryebashkiakut. Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e vendimit më të fundit në Turqi.
Ndërkohë, sondazhet tregojnë se mbështetja popullore për Imamoglun është rritur edhe më shumë që nga arrestimi i tij, duke forcuar bindjen se do të jetë rivali kryesor i Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të planifikuara për në vitin 2028.
Rreth një çerek shekulli më parë, një kryebashkiak i njohur i Stambollit u rrëzua nga detyra dhe u burgos për akuza që mbështetësit e tij i kundërshtuan si të nxitura politikisht, para se të kthehej më vonë për t’u bërë udhëheqësi që ka shërbyer më gjatë në historinë moderne të vendit të tij. Ai ishte Recep Tayyip Erdogan, presidenti i sotëm i Turqisë.
Por, tani Erdogan po përballet me një krizë politike që mund të jetë më e rënda gjatë sundimit gjithnjë e më autoritar e që ka zgjatur më shumë se dy dekada. Dhe në një simetri domethënëse, ishte arrestimi i një tjetër kryebashkiaku të njohur e kritik të Stambollit që e nxiti këtë krizë.
Protestat kanë shpërthyer në Stamboll, Ankara dhe në qytete e provinca të tjera anembanë vendit, pas ndalimit më 19 mars të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nën akuzat për korrupsion e mbështetje të një grupi terrorist.
Kjo trazirë është më e madhja e më e përhapura që ka përfshirë Turqinë që nga protestat e Parkut Gezi, të cilat pushtuan lajmet kryesore të mediave botërore për javë të tëra në vitin 2013, duke përshpejtuar atë që grupet e të drejtave të njeriut e cilësojnë si “rrëshqitje drejt autoritarizmit nën sundimin e Erdoganit”.