Rajoni

Presidentja e KE-së, thirrje Kosovës e Serbisë të zbatojnë planin e BE-së!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës në veri. Para fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Lituani, zyrtarja e lartë u shpreh:

Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në mënyrë paqësore. Eshtë e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë për të cilën u ra dakord.

Një ditë më parë, Bashkimi Europian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, komuna me shumicë serbe në veri. Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në të katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Dakordësia u arrit në një takim joformal në Bratisllavë ndërmjet përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe zv.kryeministrit Besnik Bislimi. Qeveria e Kosovës tha se të gjitha hapat do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore.

Po ashtu, Kosova e BE-ja janë pajtuar dhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë. Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, pritet të mbahet javën e ardhshme.

Bashkimi Europian paraqiti disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Vazhdimisht, Kosova ka kërkuar që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe që u arrit në Bruksel më 27 shkurt. Më 18 mars, palët në Ohër arritën dhe Aneksin për zbatimin e këtij akordi.

Marrëveshja prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën këmbëngul Kosova, por nga Kosova dhe Serbia kërkon që t’i pranojnë dokumentet e simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.