Në primaret në 12 qarqe, demokratët zgjodhën kandidatët që do të garojnë për deputetë në listën e Partisë Demokratike, në parlamentaret e 11 Majit. Përmes parimit “Një anëtar, një votë”, votuan mes 288 emrave në mbarë vendin. Sipas Zyrës së Shtypit të Partisë Demokratike, në total, në të gjitha qarqet, votuan mbi 50 mijë anëtarë.
Numri më i madh i votuesve u regjistrua në Tiranë, me 13,052 pjesëmarrës, ndjekur nga Durrësi (4,920) dhe Korça (4,826).
Në qarkun Berat, kandidati që arriti më shumë mbështetje është Zija Ismaili me 1091 vota, Ledion Marra me 306 dhe Erion Dasho me 238.
Në Durrës, i pari renditet Igli Cara me 622 vota, Manjola Luku me 424, Aulon Kalaja 296 dhe Dritan Burgija 263 vota.
Për qarkun Dibër, kandidati më i votuar është Ilir Krosi me 578 vota, i ndjekur nga kandidatja Denisa Vata me 369. I treti Basir Çollaku me 203 vota.
Në Elbasan kryeson Dashnor Sula me 538 vota, Blendi Himçi me 510 vota dhe Ilirjan Alliu me 510.
Në Fier, përfundoi në orët e para të mëngjesit numërimi dhe më i votuari doli Eduard Sharka me 795 vota, i ndjekur nga deputeti Luan Baçi me 677. E treta, kandidatja Elisabeta Rredhi.
Në primaret e zhvilluara për qarkun Gjirokastër, kandidatja më e votuar ishte Alma Buci Kore. Pas saj, Mareklent Dervishi dhe Arben Ristani.
Në qarkun e Korçës, i pari doli deputeti Bledion Nallbati me 1219 vota, i dyti Edmond Spaho me 691, i ndjekur nga Ledina Alolli me 394 vota dhe Andrea Mano me 380.
Fitues i primareve në Kukës u shpall mjeku Hasjan Shkëlzen Ibra.
Në rang qarku në Lezhë, fitues rezultoi Gjin Gjoni me 674 vota, i ndjekur nga ish-kreu i PD-së në Mirditë, Aleksandër Lala me 438 dhe deputetja Elda Hoti me 394 vota.
Në Bashkinë Shkodër, ish-kryebashkiaku Bardh Spahia është më i votuari me 380 vota, Ndoc Ashta me 228 dhe Arben Lushaj me 219. Në Malësinë e Madhe, më i votuari është deputeti Ramadan Likaj me 460 vota, ndërsa në Vaun e Dejës, Gentian Ndoj. Në Pukë dhe Fushë Arrëz, Ludovik Hasani e Alfred Thekna.
Në qarkun Vlorë, deputetja demokrate Ina Zhupa ka rezultuar më e votuara. Në këtë proces, Zhupa kryesoi me 765 vota. I dyti, Atird Hoxha me 484.
Por, pavarësisht votës së anëtarësisë, vendimi final i takon Kryesisë së PD-së, në mbledhjen e 12 marsit. Në përzgjedhje do të merret parasysh edhe puna e secilit kandidat me diasporën, si dhe kontributi në betejën kundër qeverisë. Nga primaret u përjashtuan 19 zyrtarë të Partisë Demokratike, përfshirë kryetarin Sali Berisha, të cilët janë në pjesën e sigurt të listës së deputetëve e po ashtu, 7 aleatë të opozitës që do të garojnë në koalicion me Partinë Demokratike.