Ndërkohë që në Tiranë po zhvillohet një protestë në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Albin Kurti përpiqet të theksojë kontributin e tij për shtetin e Kosovës, duke shkruar në rrjetet sociale se pasaporta e vendit është fuqizuar gjatë qeverisjes së tij.
LEXO EDHE: Reagon Edi Rama mbi protestën për UÇK-në, ndan pamje nga sheshi “Skëndërbej”
“Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley. Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të. Edhe në krahasim me vitin e kaluar Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa kemi qenë në vendin e 68-të. Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë. Me pasaportën tonë e cila po bëhet më e njohur ndërkombëtarisht, përfaqësohemi dinjitetshëm, udhëtojmë në më shumë vende pa viza dhe fuqizojmë republikën tonë”,- shkruan Kurti.
LEXO EDHE: Ish-Presidenti Moisiu në protestën e UÇK-së: Të mbrojmë dinjitetin tonë kombëtar!
Protesta që organizohet nga veteranët e UÇK-së përplasi në distancë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët nuk u bënë pjesë e protestës. Ishte i pari Kurti që sulmoi Ramën duke përdorur llogarinë në facebook të partisë Lëvizja Vetëvendosje, ku thonte se Rama fluturoi me helikopter drejt Kosovës për t’i bindur palët që të votonin pro ngritjes së Gjykatës Speciale. Nga ana tjetër, Rama i tha se Kurti do ta donte Hashim Thaçin për jetë në Hagë, ndërsa tha se refuzoi t’i bashkohet protestës për shkak të politizimit.