Aktualitet

Parashikimi i motit, e hënë 22 qershor 2026!

Sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Sipas SHMU-së, moti parashikohet i kthjellët dhe me alternime vranësirash të pakta e mesatare dhe hera-herës deri të dendura përgjatë relieveve malore në lindje, nga mesdita.

Në mbrëmje do të dominojë mot kryesisht i kthjellët.

Prej orëve të mesditës e deri pasdite, përgjatë relieveve malore në lindje ka reshje të herëpashershme shiu me intensitet kryesisht të ulët e shtrëngata të izoluara, ndërsa përgjatë Ultësirës Perëndimore shira të dobët, në formë pikash (përjashtuar vija bregdetare). Pas orëve të pasdites, ndërprerje e reshjeve.

Era fryn me drejtim  nga kuadrati i perëndimit, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, hera-herës me shpejtësi deri në 12 m/s. Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-2 ballë.