Politikë

PS merr për herë të parë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës! Benet Beci mund me 11 mijë vota më shumë Bardh Spahinë

Shkodra i ka thënë jo koalicionit “Bashkë Fitojmë të Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke bërë që për herë të parë që nga komunizmi, kjo Bashki të drejtohet nga socialistët. Benet Beci ka bërë histori në zgjedhjet e 14 majit duke fituar në një bastion historikisht demokrat dhe kjo fitore ka qenë me një diferencë të thellë me rreth 11 mijë vota më shumë.

Referuar të dhënave zyrtare, Benet Beci ka marrë 33180 vota, e ndërsa Bardh Spahia i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori vetëm 21875 vota.

Ndonëse Berisha dhe Meta bashkuan forcë dhe Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt nuk nxori një kandidat të sajin, kjo nuk mjaftoi që të merrnin Bashkinë e Shkodrës, e cila ishte aq shumë e dëshiruar edhe nga socialistët prej vitesh.

Benet Beci ka shërbyer si drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për më shumë se një dekadë para se të angazhohej në politikë për Partinë Socialiste. Ai është zgjedhur deputet më 2021 në qarkun Shkodër, e ndërsa në këto zgjedhje zgjodhi të linte mandatin për të marrë një detyrë të re atë të drejtimit të qytetit.

Pas humbjes, Bardh Shpahia ka hedhur akuza në drejtim të kundërshtarit.

“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohëve më të errëta. Mirënjohje për të gjithë qëndrestarët dhe ata që nuk bëjnë kompromis për lirinë”, shkruan Spahia.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë ndarja e mandateve në Këshillin Bashkiak.